Edlina Losha

“People don't take trips, trips take people.”

Profesionet dhe “kurthet” e jetës

Profesionet dhe “kurthet” e jetës

-Cili ka qene profesioni juaj?
-Kam mbaruar Universitetin Politeknik të Tiranës, dega Inxhinieri Ndërtimi, për ndërtesa civile industriale.
-Sa vite e ushtruat?
-Pothuajse 10 vjet. 
-Perse vendoset te nderroni profesion?
-Kam punuar në Tiranë që kur Tirana nuk shquhej për ndërtesa të larta, asokohe ishte vetëm 15-katshi ai që binte më sy. Kisha privilegjin të shihja me sytë e një inxhiniereje ndërtimi lulëzimin e ndërtesave  të para shumëkatëshe që “mbinin” si kërpurdha. Më pëlqente shumë kjo! Më pas, përveçse disa pallateve në Tiranë, kam punuar në ndërtime civile dhe industruale  edhe në qytete të tjera në Shqipëri si Lezhë, Krujë, fshatra, rikonstruksione vilash në Qerret, etj. Pse të gënjej? E shijoja shumë të qënët inxhiniere, edhe sot e kësaj dite nuk refuzoj asnjëherë të kontrolloj se si janë vendosur hekurat në objekt, të mas volume pune, apo pse jo, të marr pjesë në ndonjë tender! 

-Asnjëherë s’do më kishte shkuar në mendje ta lija këtë profesion për të cilin kisha derdhur djersë! E dini? Çudi ta besosh, por deri disa kohë më parë dita më e lumtur e jetës sime ka  qënë dita që jam diplomuar si inxhiniere. “Turp” ta thuash, por s’vija as martesën apo ardhjen e fëmijëve në jetë para kësaj! Por ja që një ditë si pa dashje m’u desh të largohesha nga të bërët e kësaj gjëje. Këto janë surprizat që të rezervon jeta.

-Cila eshte puna juaj aktuale? Prej sa vitesh punoni ne profesionin e ri?

-Prej 18 vitesh tashmë zotëroj një kopsht fëmijësh në Tiranë dhe iu përkushtova kësaj. U nis si një shaka, si një “bast” me veten, si një tekë, apo dëshirë që t’i shërbeja fëmijëve të mi e pastaj ta mbyllja, por që rastësisht rashë më kurthin e dashurisë dhe mbeta aty. Fëmijët e vegjël dhe bota e tyre më mbërthyen dhe më mahnitën. Gjithsesi, nëse bën paralelizëm unë nuk i veçoj këto profesione nga njëra-tjetra. Dikur “rrisja” objekte që nga themeli. Tani “rris” fëmijë që kur janë me bebelina. Frytet janë njësoj të mrekullueshme! Është edhe ndryshim total i “shoqërisë” që më rrethon. Dikur rrethohesha veçanërisht me burra; ustallarë, inxhinierë, arkitektë…Flisnim për projekte. Tani rrethohem më së shumti nga gra: mësuese, psikologe, logopede, animatore, kërcimtare. Dikur përdorja emra si: Kadri, Hasbi, Petref, Shaban… Tani përdor: Kejsi, Hejsi, Ansel, Blejk, Lois… Ka edhe shumë ndryshime të tjera, psh në shoqërinë tonë maskiliste, të jesh femër inxhiniere e veçanërisht ndërtimi- që njihet më së shumti si e zotëruar nga burrat, është shumë vështirë të të dëgjohet fjala. Burrat sa kthenin kokën për respekt kur unë flisja, por kishin qejf të bënin sipas kokës. Punëtorët kishin bezdi të zbatonin rregullat e sigurimit teknik (të vinin kokoret  në kokë  dhe të lidheshin me rrip sigurimi), dhe kur unë ua kërkoja me insistim ata detyroheshin, por edhe nuk i zbatonin; shefat kishin qejf të mos zbatonin projektet e miratuara- “ta hapim një dritare këtu apo të shtojmë një soletë aty”. Unë këto gjëra nuk i pëlqeja as i aprovoja dhe asokohe më doli nami si njeri strikt, por që përsëri varesha nga burrat.